Mungon i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

20200727_100531
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Korrik 27, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, të hënën ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Shemsedin Gjocaj.

Shkak i dështimit të seancës fillestare ishte mungesa e të akuzuarit Gjocaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent në sallë të gjykimit ishte vëllai i të pandehurit, Alidin Gjocaj, i cili bëri të ditur se i pandehuri gjendet në Gjermani për një trajtim mjekësor, për çka tha se e ka të pamundur ardhjen në Kosovë.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, deri në plotësimin e kushteve ligjore për mbajtjen e saj.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë, më 24 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsedin Gjocajt, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gjocaj, më parë e gjerë më 17 nëntor 2017, në fshatin Kovragë, Komuna e Istogut, saktësisht në shtëpinë e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm është furnizuar me energji elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Në aktakuzë thuhet se gjatë një kontrolli të bërë nga ana e ekipit të kompanisë së KEDS-it, tek i pandehuri kanë hasur se ka qenë i lidhur me një kabllo direkt në rrjetin elektrik, duke bërë që të anashkalohet njehsori elektrik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më këtë veprim, i pandehuri të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 286.55 euro. /BetimipërDrejtësi