Mungon i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Gani Metaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së hënës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Metaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Gani Rugova, ka deklaruar se gjykata ka dorëzuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo siç tha ai, nuk ka prova në shkresat e lëndës se i pandehuri e ka pranuar ftesën.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, ku ndaj të pandehurit do të përsëritet ftesa në mënyrë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 30 dhjetor 2019, duke e akuzuar të pandehurin Gani Metaj, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Metaj më parë e gjerë më 9 janar 2018, në fshatin Shushicë të Komunës së Istogut, saktësisht në objektin e tij familjar, ka siguruar shërbime, të cilat dihet se mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet, se gjatë një kontrolli të bërë nga ana e ekipit të kompanisë së KEDS-it, tek i pandehuri kanë hasur në njehsor të shkyçur nga distanca, mirëpo të kyçur me një kabllo 3×25 milimetra në rrjetin furnizues, me ç’rast përmes saj i pandehuri ka furnizuar shtëpinë e tij, duke e anashkaluar matjen e energjisë së shpenzuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë veprim i pandehuri e ka kryer në mënyrë të vazhduar. /Betimipërdrejtësi


Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë