Mungon i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje rryme

20190503_114143 (2)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Maj 14, 2019

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Sadik Alijaj po akuzohet për veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së martës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Alijaj.

Gjykatësi Gani Rugova, ka deklaruar se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.

“Ndaj të njëjtit do të përsëritet ftesa në mënyrë të rregullt, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës”, ka thënë gjykatësi Rugova.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 28 mars 2019, duke e akuzuar të pandehurin Sadik Alijaj për veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime” nga neni 321 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 15 maj 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Zallq të Komunës së Istogut, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, është kyçur në mënyrë të paautorizuar në rrjetin elektrik.

Në aktakuzë thuhet, gjatë kontrollit të njehsorit të bërë nga personat e autorizuar të dëmtuarës KEDS, i pandehuri është hasur më objekt pa njehsor dhe kyçje direkte në rrjetin elektrik.

Tutje, sipas aktakuzës, ai me veprimet e tij, të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm në shumën prej 134.14 euro. /Betimipërdrejtësi