Mungon i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje pylli

20191118_114417 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Dhjetor 2, 2019

 

IstogNë Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin ku Liridon Zekaj po akuzohet për veprën penale “vjedhja e pyllit”.

Shkak i dështimit të kësaj seance, e paraparë për të hënën, ka qenë mungesa e të akuzuarit Zekaj.

Gjykatësi Gani Rugova, ka deklaruar se i pandehuri Zekaj është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, duke shtuar se ndaj të pandehurit do të përsëritet ftesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 28 tetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Liridon Zekaj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet, se më 10 maj 2019, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur “Kosharisht”, rajoni ekonomiko-pyjor “Radushë”, të Komunës së Istogut, i pandehuri me qëllim të vjedhjes, me sharrë motorike ka prerë një trung të drurit të llojit “Ahu”,  me vëllim të përgjithshëm prej 4.82 metra kub.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 617 euro. /BetimipërDrejtësi