Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për vjedhje rryme

Foto 15.04.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Prill 15, 2019

Malishevë –  Për shkak të mungesës së të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Flurim Spahiu, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tij, e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi Njazi Morina, deklaroi se i akuzuari Spahiu ka qenë i ftuar, mirëpo sipas fletëkthesës së 25 marsit 2019, konstatohet se nuk ka mundësi të kontaktohet ky person.

Ai tha se ndaj të akuzuarit Spahiu, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim nga stacioni policor në Malishevë, derisa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 10 maj 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, në seancë ka qenë i pranishëm prokurori Bajram Kryeziu.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 27 shtator 2017, Flurim Spahiu, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 16 dhjetor 2016, në lokalin e tij N.P.SH “Gëzimi”, në Malishevë, në kundërshtim me Ligjin për Energji Elektrike, është furnizuar me energji elektrike, duke u lidhur përmes kabllos, me këto veprime  e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS – Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 2.661 euro.

Me këtë, i akuzuari Spahiu, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi