Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për ngasje në gjendje të dehur dhe shkaktim të aksidentit
Raporton: Albina KRASNIQI
Prishtinë – Në mungesë të të akuzuarit M.T, është shtyrë seanca e paraparë për të hënën në rastin ku i njëjti akuzohet se kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe kishte goditur një automjet të parkuar.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit, gjyqtari Ertan Sejfulla konstatoi se për të njëjtin është lëshuar urdhëresë për verifikim adrese, mirëpo nuk e kanë pranuar akoma njoftimin nga stacioni policor “Qendra” në Prishtinë.
Gjyqtari Sejfulla konstatoi se gjykata do të ndërmarrë veprimet procedurale kur të pranojë njoftimin nga ana e policisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.
Ndryshe, e pranishme ishte prokurorja Fikrije Sylejmani.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 maj 2018, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 8 shkurt 2018, i akuzuari M.T, kishte drejtuar automjetin e tij nën ndikimin e alkoolit dhe si pasojë kishte shkaktuar aksident komunikacioni ku kishte goditur një makinë e cila ka qenë e parkuar.
Aktakuza thotë se me këtë rast, kishte pësuar lëndime trupore të përkohshme vet i akuzuari si dhe kishte shkaktuar dëme në të dy automjetet.
Me këtë, M.T po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 379, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.