Istog – Në Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku Visar Blakaj, po akuzohen për veprën penale të vetëgjyqësisë.
Shkak i dështimit të seancës fillestare e paraparë për të mërkurë, ka qenë mungesa e të akuzuarit Blakaj.
Gjykatësi Arben Mustafaj, ka deklaruar se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.
“Ndaj të njëjtit do të përsëritet ftesa në mënyrë të rregullt, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.
Në këto rrethana, gjykatësi Mustafaj, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës të ngritur më 25 shtator 2018, thuhet së i pandehuri më 7 shtator 2018, në Istog, me dashje dhe në mënyrë arbitrare ushtron të drejtën që mendon se i takon, në vend që t’i drejtohet organit kompetent.
Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri ndërprenë rrjetin e ujësjellësit që kalon në pronën e tij, duke i ndërprerë të dëmtuarit Naim Shatri furnizimin me ujë, me arsyetimin se kishte kërkuar nga i dëmtuari që në pronën e tij ta lejonte instalimin me energji elektrike për objektet banesore që i pandehuri i kishte ndërtuar aty afër.
Sipas aktakuzës, i pandehurit ka kryer veprën penale “vetëgjyqësia”, nga neni 418 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.