Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për mashtrim

Gjykata (6)
Author

Raporton – Rita MAZREKAJ

Shkurt 22, 2021

Pejë- Për shkak të mungesës së akuzuarit Halil Hajdaraj, të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë gjykimi penal për mashtrim.

Gjyqtari i çështjes Shaqë Curri, deklaroi se të akuzuarit i është dërguar ftesa në mënyrë të rregullt, mirëpo në të gjendet konstatimi se pala është jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Hajdaraj, avokati Sali Mekaj, deklaroi se i mbrojturi i tij gjendet jashtë vendit dhe i njëjti kërkoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Avokati Mekaj po ashtu deklaroi se e merr përgjegjësinë që të mbrojturin e tij, personalisht ta njoftoi për datën e seancës së radhës.

Më pas gjyqtari Curri, me aktvendim seancën e shtyri për 26 prill 2021, në ora 09:00.

Ndryshe prezent në seancë ishte prokurorja e shtetit Lumturije Hoxha dhe mbrojtësi i të akuzuarit Halil Hajdaraj, avokati Sali Mekaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Halil Hajdaraj akuzohet se me 12 janar 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me anë të paraqitjes së rreme dhe fshehjes së fakteve, i shkakton dëm material të dëmtuarit Sali Hajdaraj.

Në dispozitiv të kësaj akuze thuhet se i pandehuri Halil, në datën e lartcekur, kishte lidhur para kontratë me të dëmtuarin për shitjen e ngastrës kadastrale në fshatin Qyshkë, në Pejë, për çka i dëmtuari kishte paguar shumën prej 50.000 euro, për çka i akuzuari Halil ishte zotuar se patundshmërinë do ta bartë në emër të dëmtuarit pas pagesës prej 70.000 euro, për çka i dëmtuari duhej ta bënte brenda 36 muajve, mirëpo i pandehuri me 18 shtator 2018, e kishte parcelizuar në tri ngastra  dhe e kishte bartur në emër të Fisnik, Pajtim dhe Muhamet Hajdaraj, pa e njoftuar të dëmtuarin.

Për këto veprime Halil Hajdaraj akuzohet për veprën penale ‘‘Mashtrimi’’ nga neni 335 par. 2 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi