Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për lidhje të paautorizuar në rrjetin elektrik

sm2 (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 7, 2019

 


Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka lëshuar fletërreshtim vendor ndaj të akuzuarit për lidhje të paautorizuar në shërbime, Mirosllav Kojiq, pasi që për të dytën herë me radhë, nuk është arritur të sigurohet prania e tij në gjykatore.

Gjykatësi Nexhat Aliu, në seancën e së enjtes, tha se nga Stacioni Policor në Viti, është njoftuar se i akuzuari nuk gjenden në Kosovë dhe se sipas informatave të Policisë, ai ndodhet jashtë vendit.

Gjykatësi Aliu, tha se ndaj të akuzuarit do të lëshohet fletërreshtim vendor, derisa seanca e radhës do të caktohet pas sigurimit të prezencës së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë ka qenë e prezente prokurorja Sllavica Popoviq.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 7 shtator 2017, Mirosllav Kojiq, akuzohet se më 4 korrik 2017, në Viti, në lokalin e tij, si shfrytëzues i energjisë elektrike, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, me rastin e kontrollit kanë konstatuar se të pandehurit i është konfiskuar njehsori elektrik për mos pagesë të energjisë elektrike dhe gjatë kontrollimit kanë vërejtur se i njëjti është lidhur në rrjetin elektrik direkt pa njehsor elektrik, ku më këtë veprim energjia elektrike e shpenzuar nuk llogaritet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS- Distrikti në Gjilan i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 28.44 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi