Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për kontrabandimin e 50 shtegave cigare nga Serbia

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Mungesa e të akuzuarit Predrag Llaktoviq, ka bërë që të dështojë seanca fillestare e së mërkurës, në rastin ku ai po akuzohet se në shtator të 2019-tës ka kontrabanduar 50 shtega cigare nga Serbia në Kosovë, me shmangie doganore prej 675 euro.

Gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Valbonë Dërvodeli ka njoftuar se i akuzuari është tentuar të ftohet në seancë përmes telefonit, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi ai jeton në Serbi dhe momentalisht kjo gjë ka qenë e pamundur.

Ajo ka thënë se i akuzuari do të tentohet të thirret për gjykim sërish, por nëse kjo gjë do të jetë e pamundur, ai do të lajmërohet përmes Ministrisë së Drejtësisë, Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

Seancën tjetër gjykatësja Dërvodeli e ka caktuar të mbahet në muajin nëntor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Predrag Llaktoviq, me arsyetimin se ai në shtator 2019, përmes rrugës së fshatit Breznicë e cila gjendet në Republikën e Serbisë, më saktësisht në fshatin Novosellë të Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, me veturën e tij “Shkoda” është nxënë duke transportuar 50 shtega cigare “Drina”.

Sipas prokurorisë, ai për këto cigare nuk ka poseduar asnjë lloj dokumentacioni mbi origjinën e tyre, i cili mall është sekuestruar dhe dyshohet se është me origjinë nga Serbia i sjellur në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Tutje, prokuroria ne fjalë pretendon se i akuzuari i është shmangur kontrollës doganore në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 675 euro.

Me këtë, Predrag Llaktoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”, nga neni 311, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë