Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi ndaj tij për armëmbajtje pa leje

GJ.Prizren (1)
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Tetor 16, 2020

Prizren – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Shpend Pirkut, i cili po akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Lidhur me këtë çështje penale, gjykata, me aktvendimin e saj të 02 dhjetorit të vitit 2019, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarit Shpend Pirku, për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendimin për hudhje të aktakuzës nga gjyqtarja Teuta Krusha, thuhet se “Hudhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, PP/II.nr.1575-8/2019, të datës 28.08.2019” me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri Pirku ka kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, në aktvendim thuhet se të pandehurit i kthehet pistoleta e markës “Beretta”, së bashku me dy karikator të kalibrit 9 mm, municioni 10 fishek si dhe leja për armë.

Për këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 12 mars 2020, me aktvendim rastin e ka kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”

Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së të akuzuarit Shpend Pirku.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha konstatoi se nuk është prezent i akuzuari Pirku, për të cilin gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregull.

Pas kësaj, prokurori Genc Nixha deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Shpend Pirku, avokati Klodian Krasniqi njoftoi gjykatën se i mbrojturi i tij gjendet me punë të përkohshme jashtë Kosovës, i njëjti tha se merr për obligim që ta njoftojë të akuzuarin për seancën e radhës, e cila u caktua për 10 nëntor 2020, në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 28 gusht 2019, i pandehuri Shpend Pirku akuzohet se më 19 korrik 2019, rreth orës 00:20, në lokalin e natës “Korabi” në Prizren, i pandehuri Pirku, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për armët, me pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll të paautorizuar armën e llojit “Beretta”, e modelit 92A1, kalibiri 9mm.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri ka poseduar edhe dy karikatorë, dhjetë fishek të kalibrit 9 mm, të gjitha këto të mbajtura në kundërshtim me lejen e lëshuar nga organi kompetent.

Me këto veprime, ka kryer veprën penale mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve./BetimipërDrejtësi