MUNGON I AKUZUARI, SHTYHET GJYKIMI NDAJ INSTRUKTORVE TË AUTOSHKOLLAVE DHE MJEKËVE NË ORDINANCËN “REA”

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Mos prezenca e të pandehurit Ismet Muhaxheri i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyartare”, bëri që seanca e së mërkurës të shtyhet për një datë tjetër. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Beqir Kalludra konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e kësaj séance, andaj e njëjta u caktua më 25 korrik, në ora 14:00.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngarkon të pandehurin Nexhat Shala me veprën penale “Mashtrimi”, pasi që i njëjti pretendohet se ka mashtruar të dëmtuarit Drilon Thaçin, Mursel Smajlin, Shaban Maliqin, Ylber Drenicën dhe Driton Hajdarin në vlerë totale prej 1550 eurove duke i ndihmuar në marrjën e patent shoferit.

Tutje i njëjti ngarkohet edhe për “ushtrim të ndikimit”, pasi që ka ushtruar ndikim tek instruktorët Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, të akuzuar në këtë rast, duke nxjerë certifikata mjekësore për të dëmtuarit e lartë përmendur me qëllim që të i’u ndihmoj dhënien e provimit për patent shofer.

I pandehuri Kadrush Kameri akuzohet për “Dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut”, pasi që i njëjti ka siguruar për të pandehurin Shala, certifikatat e të dëmtuarve për regjistrimin e patent shoferit, duke e ditur se ato certifikata janë të rreme. Në vijim, Kameri akuzohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” meqenëse në cilësinë e inspektorit ka vazhduar t’i marrë shumën prej 150 eurove, të dëmtuarit Thaqi për të hyrë në provim.

Ndërkaq të pandehurit Ismet Muhaxheri në cilësinë e pronarit dhe instruktorit të autoshkollës si dhe Muhamet Karameta,në cilësinë e menaxherit në ordinancën “Rea” akuzohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, pasi që të njëtit kanë lëshuar certifikatat mjekësore në emër të të dëmtuarve për patent shofer pa u kryer fare kontrolla mjekësore.

Dispozitivi i pestë i aktakuzës e ngarkon Bekim Gjelin, për “falsifikim të dokumentit zyrtar”, pasi që ka falsifikuar dokumentin në emër të Dr. Skënder Boshnjakut, duke nënshkruar certifikatën mjekësore, pa qenë fare prezent mjeku.

Dispozitivi i fundit i aktakuzës e ngarkon të pandehurën Viola Mujaj – Sokoli, për veprën penale “Dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut”, për shkak se e njëjta ka lëshuar certifikata të rreme për Visar dhe Blerim Shalën, në ordinancën “Rea”  pa u kontrolluar fare nga oftamologu.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë