Mungon i akuzuari, sërish dështon gjykimi ndaj zyrtarit në Kllokot që akuzohet se përvetësoi 10 litra naftë

72555487_944047559300906_1588669743789768704_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 9, 2019

Gjilan – Për të tretën herë rresht, ka dështuar të mbahet seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të akuzuarit për veprën penale “përvetësimi në detyrë”, Vlasta Bogdanoviq.

Si shkak i mos mbajtjes së këtij shqyrtimi fillestar, ishte mungesa e të akuzuarit Bogdanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se me veturën zyrtare “Toyota”, si asistent i kryesuesit të Kuvendit Komunal në Kllokot, ka shkuar në pompën e derivateve “Tina Petrol” në Kllokot, që të mbushë me naftë veturën zyrtare, duke kërkuar që në dëftesë të evidentohet se ka marrë 70 litra karburant, a në realitet me 60 litra e ka furnizuar veturën zyrtare, kurse 10 litra i ka lënë që ta mbush veturën e tij private, kurse pas një ore shkon me veturën e tij “Renault”, në të njëjtën pikë të karburantit, e ka mbushur atë me 10 litra, të cilat paraprakisht i kishte evidentuar në dëftesë si 70 litra.

Sipas njoftimit të gjykatësit Islam Thaçi, i akuzuari Bogdanoviq momentalisht gjendet në masën e paraburgimit, si i dyshuar për kryerjen e një vepre tjetër penale, dhe se ai ka kontaktuar me organet kompetente për mundësinë e sjelljen së tij në gjykatë, por që kjo gjë ka qenë e pamundur të ndodhë në këtë ditë.

Gjithashtu, nga njoftimi i prokurorit Agron Uka, i akuzuari këtë ditë kishte qenë në prokurori për të dhënë një deklaratë lidhur me veprën tjetër penale, dhe ai insistoi po ashtu që të ftohet i akuzuari që përmes organeve kompetente të sillet në gjykatore.

Mirëpo, këtë propozim të prokurorit Uka e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kadri Syla, me arsyetimin se tani për tani i mbrojturi i tij nuk është i përgatitur psiqikisht për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, sepse sipas tij, ai këtë ditë është shumë i ngarkuar.

Gjykatësi Thaçi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 10 dhjetor 2019, me fillim në ora 9:00.

Seanca e 24 korrikut 2019, kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit, ndërsa ajo e 27 shatorit nuk ishte mbajtur për shkak se kishte munguar gjykatësi Islam Thaqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Vlasta Bognanoviq, me arsyetimin se ai më 8 prill 2019, rreth orës 12:00, në pompën e derivateve “Tina Petrol”, në Kllokot, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me dashje ka përvetësuar pasurisë e cila i është besuar, për shkak të pozitës apo detyrës së tij.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari me veturën zyrtare “Toyota”, ka shkuar në pompën e derivateve “Tina Petrol”, në Kllokot, që të mbushë me naftë veturën zyrtare, duke kërkuar që në dëftesë të evidentohet se ka marrë 70 litra karburant, a në realitet me 60 litra e ka furnizuar veturën zyrtare, kurse pas një ore shkon me veturën e tij “Renault”, në të njëjtën pikë të karburantit, duke e mbushur atë me 10 litra të cilat paraprakisht i kishte evidentuar në dëftesë si 70 litra.

Me këtë, Vlasta Bogdanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi