MUNGON I AKUZUARI SAVA STANOJEVIQ, SHTYHET SEANCA, GJYKATA URDHËRON SJELLJEN ME DHUNË
Raporton:Arbelina DEDUSHAJ
Gjilan – Në Gjykatën në Themelore të Gjilanit, të mërkurën u shty seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Sava Stanojeviq, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “marrje e ryshfetit”.
Seanca u shty, pasi i akuzuari Stajoneviq edhe pas njoftimit përmes procesverbalit të seancës paraprake nuk kishte ardhur në shqyrtimin gjyqësor dhe mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Stanojeviq,avokati Shemsedin Piraj deklaroi se i mbrojturi i tij nuk e kishte njoftuar që nuk do merrë pjesë në seancë, por sipas të njëjtit, i akuzuari Stanojeviq mund t’i këtë dal ndonjë punë e papritur dhe nuk ka mundur as ta arsyetoj mungesën e tij.
Gjykatësi Naser Maliqi deklaroi se ndaj të akuzuarit Sava Stanojeviq do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë në gjykatë, ndërsa për të dëmtuarin Fitim Dauti, meqë ishte i pranishëm, si ftesë për seancën e ardhshme do të vlejë njoftimi përmes procesverbalit të kësaj seance.
Po ashtu në këtë shqyrtim gjyqësor mungoi edhe dëshmitari Hajrush Halili dhe i njëjti do të njoftohet përmes eprorit të tij, kapitenit Alban Ramushi.
Sipas akatakuzës, së ngritur më 10 shtator 2013 nga prokurori Agron Uka, Sava Stanojeviq në cilësinë e personit zyrtar, si asistent i administratës, pranë Ministrisë së Transportit dhe Telekomnikacionit, ka kërkuar përfitim material për vete duke kryer një veprim në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që nga i dëmtuari Fitim Dauti, ka kërkuar shumën prej 500 euro me qëllim të kalimit-dhënies së kundërlishme të testit me shkrim dhe të vozitjes për patent shoferë pranë Qendrës për patent shoferë në Gjilan. Seanca e ardhshme u caktua për 10 maj 2016, në ora 09:00.