Mungon i akuzuari për vjedhje të energjisë elektrike, lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme ndaj tij

Objekti nga jashte Malisheve
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Qershor 10, 2021

Malishevë – Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Remzi Zabelaj, u bë shkak që të mos mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas gjykatësit Lulzim Paçarizi, i akuzuari ka qenë i ftuar me ftesë, mirëpo në fletëkthesë është konstatuar se i njëjti gjendet në shtetin e Sllovenisë, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Ndaj tij, gjykatësi Paçarizi tha se do të lëshoj urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës u caktua më 6 korrik 2021, në ora 10:15

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 korrik 2020, nga Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Remzi Zabelaj akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 4 tetor 2018, në shtëpinë e tij, në fshatin Ngucat, Komuna e Malishevës, me qëllim të fitimit, në mënyrë të paautorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u kyçur direkt në rrjetin elektrik, me çka e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, ai i ka shkaktuar KEDS–it, Divizioni në Gjakovë, dëm në vlerë prej 176.19 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi