Mungon i akuzuari për vjedhje rryme, ndaj tij lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim

Foto- Gjykata
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Mars 13, 2019

Prishtinë – Për të dytën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca e fillestare, në rastin ku Ferat Gashi po akuzohet për ndryshim të njehsorit të shërbimeve.

Arsye e dështimit të kësaj seance të paraparë të mbahet të mërkurën, ka qenë mungesa e të akuzuarit Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të rastit Rrustem Begolli, i akuzuari Gashi e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk e ka arsyetuar mungesën e tij, dhe nuk është paraqitur në seancën e së mërkurës.

Begolli tha se për të akuzuarin Gashi, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, për seancën e radhës.

Ndërsa, prezente në këtë seancë ishte prokurorja, Merita Shala – Muhaxhiri.

Seanca e radhës, është caktuar më 17 prill 2019 duke filluar nga ora 9:00

Ndryshe, në seancën e kaluar që ishte paraparë të mbahej më 22 shkurt 2019, nuk kanë qenë prezent i akuzuari Gashi si dhe përfaqësuesi nga Prokuroria.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 mars 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër  Ferat Gashit të cilin e akuzonte për veprën penale “ndryshim i njehsorit të shërbimeve” nga neni 323 të KPK-së.

Në aktakuzë përshkruhet se i akuzuari Gashi më 14 prill 2015 në autolarjen “ENEA”, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, e ka larguar sistemin e fazës R në njehsor.

Sipas aktakuzës, si rezultat i këtij largimi, njehsori elektrik ka regjistruar për 33.33% më pak energji të shpenzuar elektrike, me ç’rast i ka shkaktuar dëm KEDS-it në vlerë prej 2,583.60 euro. /Betimipërdrejtësi