Mungon i akuzuari për narkotikë, lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 18, 2020

Prishtinë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit për posedim të narkotikëve, Zekë Kokollari, Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj tij ka lëshuar urdhëresë për sjellë me detyrim.

Sipas aktakuzës, policia në xhepin e rrobave atij i kishin gjetur dy paketime të vogla e dyshuar si kokainë, në peshë prej 1 gram, e gatshme për shitje, ndërsa me rastin e bastisjes së banesës së tij, policia kishte gjetur tetë paketime kokainë, me peshë 4 gramë, 19.8 gramë marihuanë, si dhe dy paketime kokainë, me peshë 28 gramë, të cilat janë sekuestruar nga policia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç të akuzuarit Kokollari, në seancën e së martës ka munguar edhe mbrojtësi i tij, avokati Musa Dragusha, i cili edhe pse kishte qenë i njoftuar për kohën e mbajtjes së seancës, nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani njoftoi se kishin komunikuar me avokatin Dragusha dhe i njëjti kishte njoftuar se i mbrojturi i tij gjendet jashtë vendit dhe nuk mund të prezantojë në këtë seancë.

Për këtë arsye, prokurori Hivzi Bajraktari ka kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit Kokollari të lëshohet urdhërarrest për sigurimin e tij në këtë shqyrtim gjyqësor, pasi i njëjti sipas prokurorit ishte recidivist dhe se i shmanget prezencës së tij në gjykatë.

Kështu, gjykatësja Namani njoftoi se ndaj Kokollarit do të lëshohet urdhëresë për sjellje për shoqërim.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 11 mars 2020, në ora 9:10.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shkurt 2019, i akuzuari Zekë Kokollari pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes kishte poseduar substanca narkotikë.

Në aktakuzë thuhet se me 15 shkurt 2018 në rrugën “B”, në lagjen “Mati 1”, nga policia ishte ndaluar i akuzuari dhe me rastin e kontrollimit, policia në xhepin e rrobave i kishin gjetur dy paketime të vogla të gatshme për shitje, me peshë një gram, e dyshuar si kokainë.

Pastaj, me rastin e bastisjes së banesës së tij, në ballkon në një çantë të vogël, policia kishin gjetur 8 paketime të dyshuara si kokainë, me peshë 4 gramë, në orenditë e kuzhinës kishin qenë një qese 19.8 gramë marihuanë, si dhe dy paketime kokainë me ngjyrë të bardhë me peshë 28 gram të cilat janë sekuestruar nga policia.

Ndërsa, pas ekzaminimit në Laboratorin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, sipas përmbajtjes kimike përmbajnë 10,68 gram kokainë dhe 16,85 gram kanabis (marihuanë).

Prokuroria Kokollarin po e ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. /BetimipërDrejtësi