MUNGON I AKUZUARI, NUK MBAHET SEANCA PËR TË AKUZUARIN PËR RREZIKIM TË TRAFIKUT PUBLIK
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej kundër Xhelal Behluli i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nuk u mbajt për shkak se i akuzuari Behluli nuk u paraqit në Gjykatë. Ndaj të njejtit kryetarja e trupit gjykues, Hakile Ilazi konstatoi se është lëshuar edhe urdhërarrest, mirëpo sipas njoftimit nga Policia e Kosovës i akuzuari gjendet në Zvicër. Përveç të akuzuarit, në këtë seancë mungonin edhe të dëmtuarit, Isa Ismajli, Zymrije Ismajli dhe Rexhep Rexhepi.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 14 maj 2016, e akuzon Xhelal Behlulin, se me datë 13 gusht 2013, nga parkingu i “Eli – Ab”, duke drejtuar veturën “BMË” nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve. Sipas aktakuzës i njejti ka vepruar pa qenë i bindur mirë se nuk i pengon pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, duke dalë nga parkingu pa i dhënë përparësi automjetit “VË Golf” të cilën e drejtonte tani i dëmtuari Isa Ismajli. I dëmtuari Ismajli duke lëvizur në magjistralen Prishtinë – Kaçanik ku e kishte bllokuar shiritin e vet të qarkullimit, në pamundësi që t’i shmanget aksidentit e godet automjetin “BMË”, me ç’rast pas dëmeve materiale të shkaktuara në të dy mjetet, Isa Ismajli bashkë me pasagjerët e tij kishin pësuar edhe lëndime trupore.