MUNGON I AKUZUARI NAIM HALITI, SHTYHET SEANCA

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Eksperti mjeko ligjor Naim Haliti, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”  ka munguar në seancën e së premtës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e cila ishte paraparë të mbahej prej orës 13:00. Në këtë seancë ka munguar edhe përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarës Blerta Halimi, avokati Rrustem Latifaj me arsyetimin se kishte probleme shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli  konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimin gjyqësor, pasi që i akuzuari Naim Haliti, nuk ishte i pranishëm, ndërsa i njëjti ka qenë i njoftuar përmes procesverbalit në shqyrtimin e kaluar gjyqësor për ditën dhe kohën e mbajtjes së shqyrtimit. Mungesën e tij, i akuzuari Haliti nuk e ka arsyetuar dhe poashtu në shqyrtim nuk ishin të pranishëm as dy mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Ymer Osaj dhe Naser Sopjani.  Gjykatësi Konxheli, shqyrtimin e së premtës, e ka shtyrë më 5 prill 2016.

Naim Haliti akuzohet se si ekspert mjeko-ligjor kishte tejkaluar kompetencat dhe nuk kishte përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që me rastin e dhënies së konkluzionit të datës 11 dhjetor 102 lidhur me natyrën e lëndimeve të dëmtuarës Blerta Halimi në kundërshtim me realitetin që rrjedh nga aksidenti rrugor dhe raporti mjekësor të lëshuar nga spitali si dhe gjendjes së pacientës Blerta Halimi, e cila ishte e shtruar në Qendrë Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, i kishte kualifikuar dëmtimet e shkaktuara nga aksidenti rrugor si lëndim të lehtë trupor, përkundër se në rastin konkret lëndimet kanë qenë të rënda.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren ish-gjykatësi Behar Ymeri akuzohet se si gjykatës në Gjykatës Themelore në Gjilan kishte nxjerrë vendim të kundërligjshëm duke aprovuar kërkesën e prokurorit për dhënien e urdhërit ndëshkimor, përkundër faktit se para se të merrte aktgjykimin, kishte ofruar prova të reja në të cilat ishte konstatuar gjendja e re faktike, ku natyra e lëndimeve kishte rezultuar me pasoja të rënda dhe të përhershme dhe në këtë mënyrë me nxjerrjen e aktgjykimit në fjalë i kishte shkaktuar dëme të dëmtuarës Blerta Halimi, e cila ka qenë viktimë në aksidentin e shkaktuar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë