MUNGON I AKUZUARI HYSNI HOXHA, SHTYHET SEANCA NË RASTIN “KEK2”

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë – Seanca gjyqësore ndaj Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe gjashtë të tjerëve, në rastin e njohur si “KEK2”,  është shtyrë për shkak se i akuzuari Hysni Hoxha nuk ishte i pranishëm, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Kryetari i trupit gjykues Vladimir Mikula, për këtë arsye, ka shtyrë seancën për 15 mars 2016, në ora 9:00.

Avokati Sahit Bibaj, tha se klienti i tij, Hysni Hoxha nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për këtë ka lajmëruar atë se nuk mund të jetë prezent në seancë. Ai ia  dorëzoj  raportin e Qendrës Emergjente trupit gjykues, në të cilin qartësohej gjendja shëndetësore e Hoxhës.

Trupi gjykues pas shqyrtimit të këtyre dokumenteve e pyeti avokatin nëse gjatë ditës do të ishte e mundur prezenca e klientit të tij, por avokati tha se një gjë e tillë është e pamundur.

Kryetari i trupit gjykues po ashtu i kërkoj avokatit Bibaj që herën tjetër të sjell ndonjë raport më të detajuar për gjendjen shëndetësore të Hoxhës, pasi ai që iu dorëzua ishte vetëm një raport i Qendres Emergjente.

Gjyqtari Mikula, u shpreh  se sipas Kodit Penal është e detyrueshme  që i akuzuarit të jetë i pranishëm në seancë, gjë që ai e vlerësoj si të padrejtë.

Ai propozoj që të premtën të veçohet lënda dhe të dëgjohet dëshmitari, Granit Hasani  e pastaj të akuzuarit  Hysni Hoha në seancën tjetër t’i lexohet deklarata e dëshmitarit.

Edhe pse mbrojtësi i Hoxhës, avokati Sahit Bibaj pranoj që seanca të vazhdohet pa prezencen e klientit të tij. Por, ishte  prokurori ai që vazhdimisht e ka kundërshtuar vazhdimin e seancës pa prezencën e të akuzuarit Hysni Hoxha.

Sipas prokurorit i akuzuari Hoxha nuk do të mund t’i kundërshoj pyetjet në kohën e duhur. Po ashtu sipas tij, ndarja e lëndës nuk do të garantoj që dëshmitari Granit Hasani të mos ftohet prapë, në mënyrë që të merret në pyetje nga i akuzuari Hoxha.

Prokurori paralajmëroj se në seancat e ardhshme do të dëgjohen 8 rojtar të sigurimit.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it, e cila e  ngarkon Kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku bashkë me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, si dhe pesë të tjerët lidhur me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Kreu i Skënderajt, akuzohet për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëkryerje, Driton Pruthi për veprat penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë