Mungon i akuzuari Ervin Kastrati, shtyhet seanca për korrupsion
Raporton: Belkize LOSHAJ
Pejë – Shtyhet seanca e paraparë që të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Ervin Kastratit, i akuzuar për veprat penale “ushtrim i ndikimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.
Kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance sepse nuk ishte prezentë i pandehuri edhe pse ishte njoftuar në mënyrë të rregullt.
Seanca e radhës u caktua për 10 tetor2016, në orën 10:00.
Sipas aktakuzës i pandehuri ka pranuar përfitime ne të holla për vete, që të ushtroj ndikim të pa drejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari N.N. kishte nevojë për një trafo për separacionin e tij, i cili ishte djegur. Pasi kishte shkuar tek lokalet e KEDS-it, i dëmtuari e kishte takuar të pandehurin. Ky i fundit i kishte siguruar se do të ndikonte tek zyrtarët e tjerë dhe se brenda tri ditëve do t’a siguronte një gjë të tillë, por fillimisht ishte detyruar të paguante shumën prej 3.000 eurove. I dëmtuari ishte pajtuar dhe të hollat në fjalë ia kishte dorëzuar sipas marrëveshjes.
Gjithashtu, më 19 gusht 2014, si person zyrtar i KEDS-it, në shkresat zyrtare shënon të dhëna të rreme, ku të dëmtuarit i lëshon fatura kinse i ka shlyer borxhin në tërësi, ndërsa i dëmtuari më vonë pranon faturën me borxhin e përgjithshëm 7.554,45 euro.