Mungon i akuzuari dhe përfaqësuesi i KEDS-it, dështon gjykimi për vjedhje rryme

fotoja e Gjykates 1
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Maj 14, 2019

Lipjan – Mungesa e të akuzuarit Mustafë Gashi, si dhe e përfaqësuesit të KEDS-it, ka bërë që të dështojë seanca për vjedhje rryme, e paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, ka bërë të ditur se në këtë seancë ka prezantuar prokurorja Arbresha Shala, ndërsa kanë munguar i akuzuari Gashi, si dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës KEDS, edhe pse për të njëjtit sipas tij, ekzistojnë provat që janë thirrur në mënyrë të rregullt, por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Pasi që nuk plotësohen kushtet për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Gashi ka thënë se seancën e radhës do ta caktojë pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e saj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 shtator 2018, i akuzuari Gashi me 8 janar 2016, në lokalin e tij, i cili gjendet në rrugën “Zylfije Gashi”, në Lipjan, ka penguar njehsorin elektrik nga regjistrimi i saktë i sasisë së shërbimit të shpenzuar pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar KEDS.

Në aktakuzë thuhet se pas verifikimit nga zyrtarët kompetent të KEDS-it, Sektori i Qendrës së Kalibrimit, është konstatuar se njësori elektrik është i falsifikuar.

Po ashtu, sipas aktakuzës, pas verifikimit nga zyrtarët e KEDS-it, shihet se nga ana e jashtme nuk ka dëmtim, ndërsa në brendi të njehsorit, sistemet e fazave S dhe T, janë të eliminuara dhe si pasojë njehsori elektrik ka regjistruar 66.66%, më pak energji elektrike, me ç ’rast të dëmtuarës KEDS- i, Distrikti në Ferizaj, i ka shkaktuar dëm elektrik në lartësi prej 8.389,90 euro.

E me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ndryshim i njehsorit të shërbimeve” nga neni 323 par 1, i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi