Mungon i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, dështon gjykimi për shpërdorim të pasurisë së huaj

20190701_102115 (2)
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Shtator 11, 2019

Drenas – Mungesa e të akuzuarit për shpërdorim të pasurisë së huaj, Valon Rushiti dhe e mbrojtësit të tij, avokatit Ilir Rashiti, është bërë shkak që të mos mbahet shqyrtimi i dytë, që ishte paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtine, dega në Drenas.

Gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, tha se i akuzuari Rushiti dhe mbrojtësi i tij, kanë qenë të njoftuar gojarisht si dhe përmes procesverbalit të seancës se kaluar, por mosardhjen sipas tij, nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E pranishme në seancë ishte prokurorja Fikrije Sylejmani.

Gjithashtu, gjykatësi Baleci, ka njoftuar se më 31 korrik 2019, mbrojtësi i të akuzuarit ka dorëzuar parashtresën me anë të së cilës ka bërë kundërshtimin e aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 shkurt 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Valon Rushitit, të cilin e ngarkon me veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”, nga neni 330 parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 3 maj 2018, në Drenas, i pandehuri më qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar për të u shërbyer për një kohë të caktuar.

Në aktakuzë thuhet se atij i është besuar vetura “Audi Q7”, pronë e të dëmtuarit Mentor Dubovci, por që i pandehuri nuk ia kishte kthyer siç ishin marrë vesh, derisa i është konfiskuar nga policia. /BetimipërDrejtësi