Mungon i akuzuari dhe i dëmtuari, shtyhet seanca për vjedhje të druve

46511019_1984014065232383_584638816711606272_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Dhjetor 6, 2018

Kamenicë – Ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndaj të akuzuarit për vjedhje, Qëndrim Berisha.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance gjyqësore ishte mungesa e të akuzuarit Qëndrim Berisha, si dhe të dëmtuarit Rrahman Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e rastit, Valbonë Dërvodeli, njoftoi se i akuzuari Berisha, si dhe i dëmtuari Abazi, janë ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata, por që nuk janë përgjigjur.

Gjykatësja Dërvodeli, seancën e radhës e caktoi më 19 dhjetor 2018, në ora 14:00, ku ndaj të akuzuarit Berisha, lëshoi urdhëresë për sjelle me dhunë në gjykatore, ndërsa i dëmtuari Abazi, do të ftohen me ftesë të rregullt nga gjykata.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 shtator 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Qëndrim Berisha, i cili akuzohet se më 18 korrik 2016, rreth orën 03:30, në vendin e quajtur “Shkolla e vjetër”, në Kremenadë të Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, për veti apo dikë tjetër, ka kryer vjedhje në dëm të dëmtuarit Rrahman Abazi.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Berisha, me kamionin e tij të markës “Iveko”, i merr 10 metra kub dru të llojit “Ah”, të cilat kanë qenë të prera dhe të grumbulluara, ashtu që të njëjtat i ngarkon në kamion dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Tutje, në aktin akuzues pretendohet se i akuzuari Berisha, me veprimet e tij, të dëmtuarit Abazi, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 350 euro.

Me këtë, Qëndrim Berisha, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja”, nga neni 325 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi