Mungon i akuzuari dhe dëshmitarët, shtyhet gjykimi për ndotjen e artikujve ushqimor ku si pasojë kanë ngordhur 9 krerë lopë

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – Për shkak të mungesës së të akuzuarit S.P. dhe  pesë dëshmitarëve, ka dështuar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

S.P. akuzohet se ka ndotur artikuj ushqimor që përdoren për njerëz e kafshë, përkatësisht ka hedhur rriska buke me gozhda (gozhda) dhe llokum me helm për minj, me qëllim për t’i helmuar kafshët, (lopët) e tani të dëmtuarit D.A. dhe nga ky veprim kanë ngordhur 9 krerë lopë, duke i shkaktuar dëme material të dëmtuarit në shumë prej 18 mijë e 700 euro.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit S.P. dhe dëshmitarëve, gjykatësja Blerina Jakupi- Ramadani  tha se të njëjtit nuk janë ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I akuzuari S.P. është ftuar me ftesë nga ana e gjykatës, por që emri është shënuar gabimisht, e po ashtu edhe pesë dëshmitarët nuk janë ftuar fare, e të cilët do të ftohen në mënyre të rregullt për seancën e radhës”, ka thënë gjykatësja.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 26 korrik 2022.

Ndryshe në seancë ishin të pranishëm prokurori Halim Borovci, mbrojtësi i të akuzuarit S.P, avokati Shemsedin Pira, si dhe i dëmtuari D.A., me përfaqësuesen e tij, avokaten Sadbere Maliqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, S.P. po akuzohet se më 7 korrik 2018, rreth orës 17:00, në livadhin e vëllai të tij H.P., në fshatin Pozheran, Komuna e Vitisë, i pandehuri ka ndotur artikuj ushqimor që përdoren për njerëz e kafshë, përkatësisht ka hedhur rriska buke me gozhda dhe llokum me helm për minj, me qëllim për t’i helmuar kafshët, (lopët), e tani të dëmtuarit D.A.

Në aktakuzë thuhet se nga ky veprim i të pandehurit, kanë ngordhur 9 krerë lopë, duke i shkaktuar dëme material të dëmtuarit në shumë prej 18 mijë e 700 euro,

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja e artikujve ushqimorë që përdoren nga njerëzit dhe kafshët” nga neni 265, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, vepër kjo që dënohet me burgim deri në tri vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë