Mungon i akuzuari dhe avokati, shtyhet gjykimi për mashtrim

Raporton; Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në mungesë të akuzuarit I.Xh. dhe mbrojtësit të tij, avokatit Asdren Hoxha është shtyrë seanca në rastin ku Xh. po akuzohet se mashtroi të dëmtuarin S.G. kinse do t’ia jap pensioni dimëror duke ia marrur fletëparaqitjen e pensionit.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Xh. gjyqtarja e rastit Sulltane Hoti tha se të njëjtit i është dërguar ftesa në mënyrë të rregullt mirëpo deri tani nuk është kthyer fletkthesa me ndonjë konstatim.

Ndërsa, sa i përket avokatit Hoxha, gjyqtarja Hoti tha se i njëjti e ka lajmëruar që në këtë datë gjendet në pushim.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë ndërsa e radhës pritet të mbahet më 8 shtator.

Ndryshe, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Besnik Jakupi dhe i dëmtuari G.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 nëntor 2021, të akuzuarit Xh. kishte shqiptuar dënim me kusht prej 7 muajve dhe dënim me gjobë prej 500 euro, ndërsa Gjykata e Apelit më 14 shkurt 2022 kishte refuzuar ankesën e avokatit Hoxha dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Mirëpo, pas kërkesës për mborjtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit Xh., Gjykata Supreme ka anuluar aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë dhe i ka kthyer çështjen Gjykatës Themelore në Prishtinë në rivendosje.

Ndryshe, sipas aktakuzës më 26 tetor 2016 në Prishtinë në rrugën “Fehmi Lladrovci” i akuzuari me paraqitjen e fakteve të rreme, kinse të dhënies së pensionit dimëror-ndihma nga ana e Qendrës së Pensionerëve, ka kërkuar nga tani i dëmtuari G t’ia jap fletëparaqitjen e pensionit që t’ia bëjë pagesën e taksave në shumë prej 30 euro, me qëllim kinse të marrjes së pensionit dimëror.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka arritur ta marrë fletëparaqitjen e pensionit në të cilën ishin 130 euro duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit G.

Me këtë, Xh. po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 355 par.1 të KPK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë