Mungon i akuzuari dhe avokati, shtyhet gjykimi për kanosje lidhur me një kontest pronësor

Istog
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Nëntor 19, 2019

 

IstogNë Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit  kryesor në rastin ku Bashkim Arifaj, po akuzohet për veprën penale të kanosjes.

Shkak i dështimit të kësaj seance që ishte paraparë për të martën, ka qenë mungesa e të akuzuarit Arifaj dhe të mbrojturit të tij, avokatit Haxhi Millaku.

Gjykatësi Arben Mustafaj, deklaroi se i pandehuri Arifaj së bashku me mbrojtësin e tij, kanë qenë të njoftuar nga seanca paraprake, duke shtuar se mungesën në seancë nuk e kanë arsyetuar.

“Ndaj të pandehurit Bashkim Arifi, gjykata do të lëshojë urdhërarrest, kurse i mbrojturi i tij, avokati Haxi Millaku do të ftohet me ftesë të rregullt”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Në këto rrethana, gjykatësi Arben Mustafaj, tha se seanca e radhës do të mbahet më 4 dhjetor 2019, nga ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 27 shkurt 2017, e ngarkon të akuzuarin Bashkim Arifaj, me veprën penale të kanosjes.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri më 17 dhjetor 2016, rreth orës 20:30, në Istog, me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin Enver Hasanaj.

Sipas aktakuzës, pasi që i pandehuri dhe i dëmtuari kishin një mosmarrëveshje lidhur me një çështje pronësore, i pandehuri përmes telefonit e kontakton të dëmtuarin, duke iu drejtuar me fjalët kanosëse “nëse e qon lëndën në gjykatë ka me shku gjaku deri në gju”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari duke u ndier i frikësuar nga i pandehuri, e ka lajmëruar rastin në polici. /BetimipërDrejtësi