MUNGON I AKUZUARI DHE AVOKATI I TIJ, SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë seanca ndaj Sladjan Trajkoviq, i akuzuar për veprën penale ”keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit  zyrtar”

Në këtë seancë të pranishëm ishin përfaqësuesi i palës së dëmtuar të Komunës së Graçanicës Zvonko Stankoviq dhe avokati Negovan Sharanoviq.

Gjykatësi Faik Hoxha i njoftoi palët e pranishme se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Ramë Gashi  kishte një rast në Gjykatën e Shtërpcës dhe këtë mungesë i njëjti e kishte arsyetuar edhe me shkrim.

Po ashtu gjykatësi Hoxha njoftoi se ndaj të akuzuarit Trajkoviq do të përpilohet urdhëresë për sjellje në gjykatë.

Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2014, Trajkoviq akuzohet se prej muajit dhjetor të vitit 2013 deri më 13 tetor 2014, duke e shfrytëzuar detyrën si depoist kryesor në depon e Komunës së Gracanicës, në fshatin Llapnasell dhe pasi të njëjtit i ishin besuar çelësat e kësaj depo dhe  në mënyrë të vazhdueshme ka marrë pajisje medicinale si dhe tre ventilator Viasys dhe barna. Po ashtu sipas aktakuzës së prokurores Dulina Hamiti, i akuzuari Trajkoviq këto gjësende i ka bartur me makinën e tij private dhe i ka dërguar në drejtim të panjohur,me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete,me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm Komunës së Gracanicës në vlerë prej 58.021,47 euro. Seanca e ardhshme u caktua për 27 maj 2016, në ora 13:30

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë