Mungon i akuzuari dhe anëtarja e trupit gjykues, shtyhet seanca
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet ndaj Sllobodan Cvejiq, Millosh Maksimoviq, Ilija Mlladenoviq dhe Nebojsha Millovanoviq, të akuzuar për dhënie dhe marrje të ryshfetit, u shty sepse i akuzuari Sllobodan Svejiq, nuk u paraqit në gjykatë. Gjithashtu edhe anëtarja e trupit gjykues, Nora Bllaca Dula, kishte qenë në një seancë gjyqësore në EULEX.
Gjyqtari Faik Hoxha tha se si pasojë e kësaj, seanca duhet të shtyhet. E njëjta u vendos të mbahet më 10 nëntor 2016 në ora 13:30.
Sipas aktakuzës, Sllobodan Cvejiq, Millosh Maksimoviq, Ilija Mlladenoviq dhe Nebojsha Millovanoviq, akuzohen se më 3 nëntor 2013, duke qëndruar afër shkollës “Kral Millutin” në Graçanicë, ku ishin duke u zhvilluar votimet për zgjedhje komunale, ju kishin premtuar njerëzve të ndryshëm, nga 50 euro që të votojnë për anëtarët e partisë SKS. Pas raportimit të rastit, dhe pas kontrollimit të pandehurve nga policia, tek ta ishin gjetur 850 euro dhe një listë me emra të qytetarëve të ndryshëm.