Mungon i akuzuari, dështon të vazhdoj gjykimi për marrje ryshfeti

177217892_143721451090435_6733025505745456122_n
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Prill 23, 2021

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit për marrje ryshfeti, Musa Shala, ka bërë që të dështoj seanca e paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në fillim të seancës, avokati Fehmi Shala ka bërë të ditur se i mbrojturi i tij, i akuzuari Shala nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në fillim të gjykimit, gjykatësja Alltëne Murseli ka njoftuar palët lidhur me zëvendësimin e anëtares së trupit gjykues, Elife Uka, me anëtaren e re, gjykatësen Naime Krasniqi-Jashanica.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 maj 2021, në ora 13:00.

Ndryshe, së bashku me Shalën akuzohej edhe Mustafë Mustafa. Mirëpo, në seancën e 23 shkurtit 2021, gjykatësja Alltene Murseli ka bërë të ditur se jashtë seancës, përkatësisht më 15 shkurt 2021, gjykata ka marrë aktvendim me të cilën është hudhur aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe është pushuar procedura penale për të akuzuarit, lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Kjo pasi sipas saj, ndjekja penale për këtë vepër ka arritur parashkrimin me më 14 shkurt 2021.

Kështu, pas këtij vendimi, është veçuar procedura për të akuzuarin Musa Shala, i cili vazhdon të gjykohet për veprën penale “marrje ryshfeti”

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 dhjetor 2016, i pandehuri Musa Shala si person zyrtar, akuzohet se kishte kërkuar nga Nysret Berisha 5 mijë euro të cilat i kishte pranuar në lokalin “Albana”, ndërsa e kishte nënshkruar situacionin e dytë në vlerë prej 155,202.04 euro sipas raportit të pagesës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai si zyrtar i inspektimit të projekteve, përkatësisht projekt-menaxher në MASHT, në dosjen e tenderit për punë në vlerë të madhe, e 14 gushtit 2009, me titull “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme”, kishte lidhur kontratë mes autoritetit kontraktues përfaqësuar nga Xhemajl Buzuku dhe operatori ekonomik “Ndërtimtari” SH.P.K, përfaqësuar nga Avni Mustafa, më 9 tetor 2009, në vlerë prej 2.226.064.30 euro.

Në aktakuzë thuhet se pasi që operatori ekonomik “Ndërtimtari” me bashkëpronarët Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa, i cili si porositës e kishte përfaqësuar kontratën, garantuar nga Rafet Ibishi, e të cilët e kishin fituar këtë tender me çmimin e përmendur, operatori ekonomik “ Ndërtimtari” më 14 shkurt 2011, kishte nën kontraktuar me “Con Inga” sh.p.k , pronë e bashkëpronarëve Nysret Berisha dhe tani të ndjerit Naser Preniqi.

Sipas prokurorisë, ai si zbatues i punimeve kishte përfaqësuar kontratën duke lidhur kontratën për ndërtim në shumë prej 1.384.689.50 euro, me të cilën kontratë veç tjerash ishte parashikuar që përfundimi i këtij projekti të bëhet brenda 150 ditëve të punës nga dita e fillimit të punimeve për çdo faturë lidhur me punët e kryera në objekt, në vlerë prej 110 mijë euro, ku pagesa do të bëhet në shumë prej 100.000euro pa llogaritur 10% që do të ndalet nga pagesa e çdo fature.

Për çka, sipas aktakuzës, kishte qenë në dijeni Musa Shala, por me dashje për këtë nuk e kishte njoftuar fare autoritetin kontraktues, ndonëse operatori ekonomik kishte vepruar në kundërshtim me dy akte juridike, nenin 30 të Ligjit nr.04/l-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe nr.05/L-092, që kishte parashikuar se tenderuesi ka dashtë të tregojë në tenderin e tij që ka për qëllim të nënkontraktojë palët e treta.

Në vijim thuhet se rrjedhimisht kishte vepruar në kundërshtim edhe me Udhëzuesin Operativ për Prokurim Publik të KRRPP, të janarit 2012, ku në pikën 17, titulluar “Dosja e tenderit”, nënpika 17.13 është paraparë që autoriteti kontraktues të deklarojë në dosjen e tenderit që operatorët ekonomik duhet të tregojnë në tenderin e tyre çdo pjesë të kontratës që operatorët ekonomik kanë për qëllim të nën kontraktoj te palët e treta dhe se nën kontraktimi nuk bën të kalojë 40% të vlerës totale të kontratës, si ka ndodhur në rastin konkret.

Me këtë, Shala po ngarkohet me veprat penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, i akuzuari Mustafë Mustafa, sipas aktakuzës, në cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit ligjor të kompanisë ndërtimore “Ndërtimtari” kishte keqpërdorur pozitën e tij.

Ai sipas aktakuzës, në emër të kësaj kompanie kishte lidhur kontratë me autoritetin kontraktues në vlerë prej 2,226,063.20 euro, e më pas kishte lidhur kontratë ndërtimi me të njëjtin autoritet kontraktues me çmim kontraktues tjetër, në vlerë prej 1.384,689,50 euro, duke nën kontraktuar mbi vlerën 40% të vlerës totale të kontratës, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore. / BetimipërDrejtësi