Mungon i akuzuari, dështon sërish gjykimi për nënshkrime në listën e hyrje-daljeve në MASHT në emër të kolegut

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në mungesë të Murtez Zekollit, drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbime të Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka dështuar sërish të mbahet seanca të hënën, në rastin  ku i njëjti ngarkohet për veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Zekolli, gjyqtari u rastit Ngadhnjim Arrni ka thënë se i njëjti përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kësaj parashtrese, gjyqtari Arrni tha se i janë bashkëngjitur raporti mjekësor dhe disa dokumente të tjera lidhur me problemet shëndetësore të të akuzuarit.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 4 korrik 2022.

Ndryshe i pranishëm në seancë ishte prokurori Blerim Igrishta.

Ndërkaq, sipas aktakuzës të ngritur në qershor të 2019-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Murtez Zekolli po akuzohet se me qëllim që ta vë në lajthim organin ku punon, në përfundim të orarit të punës është nënshkruar në listën e hyrje–daljes së punëtorëve në emër të Jakup Bellaqës, edhe pse për një veprim të tillë nuk ka qenë i autorizuar, duke vërtetuar një fakt të paqenë kinse i njëjti ka qëndruar në punë deri në përfundim të orarit, me qëllim që kjo të shërbejë si provë në të ardhmen.

Me këto veprime, Zekolli po akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vite. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë