Mungon i akuzuari, dështon seanca e rigjykimit ndaj mjekut të akuzuar për 30 euro ryshfet

47490896_383179372486375_7373834243023044608_n
Author

Raporton: Lirie ALIU

Dhjetor 5, 2018

Gjilan – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj mjekut të Spitalit Rajonal në Gjilan, Elez Elezi, i akuzuar për 30 euro ryshfet.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Elez Elezi, avokati Shemsedin Piraj, i mbrojturi i tij, më 4 dhjetor 2018, kishte deponuar në gjykatë një shkresë, në të cilën ka treguar se ka probleme shëndetësore dhe se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaqi, deklaroi se deri në momentin që seanca filloi, gjykata nuk ka pranuar asnjë shkresë nga i akuzuari, ashtu që ka lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë gjatë orarit të punës.

Ndërkohë, gjykatësi Islam Thaçi, ka deklaruar se ka pranuar shkresën e të akuzuarit Elezi, në të cilën kishte bashkëngjitur raportet dhe konsultat mjekësore me mjekun psikiatër.

Pas ndërprerjes së seancës për më shumë se gjysmë ore, me qëllim të sigurimit të prezencës të të akuzuarit Elezi, sipas urdhëresës së lëshuar nga gjykata, gjykatësi Thaçi deklaroi se përkundër faktit se është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë ndaj të akuzuarit, nga Stacioni Policor në Gjilan, kanë njoftuar gjykatësin së nuk kishin mundur që ta realizojnë urdhërarrestin për të mërkurën, ngase i akuzuari edhe pse ishte në shtëpinë e tij, u kishte thënë zyrtarëve policorë se ishte i sëmurë.

Ndryshe, prokurori Shaban Spahiu, ka deklaruar se pasi kjo çështje penale disa herë ishte shtyrë, herë me arsye dhe herë pa arsye nga i akuzuari, ndërkaq në këtë shqyrtim është arritur sigurimi i prezencës të të dëmtuarës Lirije Hasani, por jo edhe sigurimi i të akuzuarit Elezi, ndaj i propozoi gjykatës që në seancën e radhës kur do të jetë prezent edhe i akuzuari, të lexohet deklarata e të dëmtuarës pasi që e njëjta kishte dhënë deklaratë si në prokurori, polici e po ashtu edhe në shqyrtimin gjyqësor të kaluar.

Seanca e radhës është caktuar më 4 shkurt 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar për të tretën herë radhazi.

Fillimisht, ndaj Elezit, më 19 tetor 2013, Gjykata Themelore në Gjilan kishte marrë aktgjykim dënues. Më pas, më 13 nëntor 2013, Gjykatën e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërsa, në bazë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme më 16 janar 2014, kishte marrë aktvendim me të cilin kishte prishur aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Më 9 dhjetor 2015, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Hasan Sadiku, kishte shpallur fajtor të pandehurin Elez Elezi, duke i shqiptuar dënim me burgim prej tre muajsh. Ndërsa, në bazë të ankesës së mbrojtjes, lënda kishte përfunduar në Gjykatën e Apelit, e cila më 5 maj 2016, e kishte kthyer lëndën përsëri në rigjykim.

Ky gjykim kishte nisur me aktakuzën e ish-Prokurorisë Komunale në Gjilan, e cila e ngarkon të pandehurin Elez Elezi me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht mjek në Spitalin Regjional në Gjilan, më 22 maj të vitit 2012, në zyrën e tij, ka kërkuar përfitim material për vete, për të kryer një veprim, e të cilin nuk është dashur ta kryej.

Prokuroria pretendon se i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuara Lirije Hasani shumën prej 10 euro, për çdo raport specialistik të lëshuar nga ana e tij, duke marrë në tërësi nga e dëmtuara shumën prej 30 euro.