Mungon i akuzuari, dështon rigjykimi për keqpërdorim detyre ndaj zyrtarit të “KosInvest”

IMG-7215
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 25, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj ish-zyrtarit të institucionit mikrofinanciar “KosInvest”, Milan Denda, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Denda po akuzohet se në cilësinë e nëpunësit të kredive në “KosInvest”, pa dijen dhe vullnetin e të dëmtuarit Rasiq Stojadin, e kishte futur të njëjtin si garantues në dokumentacionin e kredisë së huamarrësit Nenad Steviq, të cilin e kishte siguruar më parë për shumën 7000 mijë euro, duke lejuar që dokumentacioni i tillë të përcillet në zyrën qendrore.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica i akuzuari Denda ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, por sipas saj gjykata nuk e kishte pranuar fletë kthesën për të vërtetuar nëse i njëjti e kishte pranuar ftesën.

Ndërsa në seancën e së enjtes ka prezantuar prokurori Arian Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, për shkak të mungesës së të akuzuarit Denda kjo seancë është shtyrë për 8 korrik 2020, në ora 13:15.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 26 nëntor 2018, të akuzuarin Denda e kishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht, dënimi i cili nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës prej një viti.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 24 shkurt 2020, e kishte aprovuar ankesën e të akuzuarit Denda dhe çështjen ia kishte kthyer shkallës së parë në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës dhe me deklarimet e dhëna në procedurë, pasi sipas gjykata kur gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Denda, nuk kishte dhënë asnjë fakt vendimtar lidhur me veprimet inkriminuese të të akuzuarit, të cilit në mënyrë të tërthortë i janë shkelur të drejtat, duke mos vendosur për përgjigje e tij të paraqitur në kundërshtimin e aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Milan Denda, me pretendimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Denda në cilësi të nëpunësit të kredive në institucionin mikro-financiar “KosInvest”, dega në Graçanicë, gjatë periudhës kohore 2010-2012, nuk kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vetën apo dikë tjetër.

Denda pretendohet se pa dijen dhe vullnetin e të dëmtuarit Rasiq Stojadin e kishte futur të njëjtin si garantues në dokumentacionin e kredisë së huamarrësit Nenad Steviq, të cilin e kishte siguruar më parë për shumën 7.000,00 euro, duke lejuar që dokumentacioni i tillë të përcillet në zyrën qendrore.

Në aktakuzë thuhet se Denda kishte marrë paratë nga huamarrësi Nenad Steviq, kurse kur i dëmtuari Rasiq Stojadin kishte shkuar në BKT për të marrë një kredi tjetër nuk i ishte lejuar dhe pasi ishte njoftuar për këtë rast, më pas e kishte paraqitur në polici. /BetimipërDrejtësi