Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për vjedhje të shërbimeve

Istog 1 1 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 26, 2021

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Sylejman Blakaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së martës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Blakaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj, ka deklaruar se nga fletkthesa e kthyer është konstatuar se banesa e të pandehurit është e mbyllur, dhe se i njëjti nuk jeton në fshatin Banjë.

“Seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, ndërsa palët do të ftohën edhe njëherë me ftesa të rregullta”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 15 dhjetor 2020, duke e akuzuar të pandehurin Blakaj për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sylejman Blakaj në kohë të panjohur e në vazhdimësi gjerë më 12 korrik 2018, në fshatin Banjë të Komunës së Istogut, ka siguruar shërbime në mënyra të tjera, për të cilat shërbime dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, me ç’rast ka shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri pa autorizim të furnizuesit të autorizuar është kyçur direkt në rrjetin elektrik, duke mos vendosur fare njehsor elektrik.

Ai akuzohet se me veprimet e tij të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 258.55 euro.  /BetimipërDrejtësi