Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për vjedhje të rrymës

Fotot 11.10.2018
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Tetor 11, 2018

Malishevë – Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Lulzim Berisha, ka bërë që të dështojë seanca fillestare ndaj tij, e paraparë të mbahet të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi Lulzim Paqarizi, ka thënë se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt, dhe sipas fletëkthesës rezulton se i akuzuari Berisha gjendet në Itali, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë ishte i  pranishëm prokurori Armend Zenelaj.

Gjykatësi Paqarizi, ka marrë vendim që për shqyrtimin e ardhshëm fillestar i akuzuari Berisha, të ftohet me detyrim përmes Stacioni Policor në Malishevë.

Seanca e radhës është caktuar për 6 nëntor 2018, ora 11:15.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 25 janar 2017, ka ngritur aktakuzë, kundër Lulzim Berisha, duke e akuzuar se më 15 mars 2016, i cili me qëllim që vetvetes apo tjetrit t’i sjell përfitim pasuror, përmes një kablloje, furnizon direkt shtëpinë e tij pa u lidhur në njehsorin elektrik, dhe ky fakt e ka pamundësuar regjistrimin e pa saktë të energjisë elektrike.

Po ashtu sipas aktakuzës, dëmi i konstatuar nga e dëmtuara KEDS- Gjakovë është në vlerë prej 189.34 euro.

Me këtë i akuzuari Berisha, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje të shërbimeve komunale” nga neni 320, paragraf 1, i KPRK-së.