Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për uzurpim prone

Foto 09.10.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Tetor 9, 2019

Malishevë –Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Mursel Krasniqi.

Shkak për dështimin e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Krasniqi.

Në seancë ka prezantuar mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Faik Morina, i cili njoftoi gjykatën se i akuzuari gjendet në Maqedoni për shkaqe shëndetësore, andaj ka propozuar gjykatës që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Me vendimin e gjykatësit, Njazi Morina, është aprovuar propozimi i avokatit Morina, dhe seanca është shtyrë për 15 nëntor, në ora 9:30.

Në seancë prezantuan prokurorja Mone Syla, i dëmtuari Aradin Krasniqi, dhe përfaqësuesi i tij, avokati Bekim Kryeziu.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 4 dhjetor 2018, Mursel Krasniqi, akuzohet se  nga data 4 maj 2019, e në vazhdimësi, në mënyrë të kundërligjshme, pushton pronën e paluajtshme të të dëmtuarit Aradin Krasniqi në vendin e quajtur “Zabeli Plak”, në fshatin Damanek, Komuna e Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Krasniqi, pa pëlqimin e të dëmtuarit, pronën e uzurpuar nga prona me kulturë mal, e shndërron në tokë të punueshme dhe atë e shfrytëzon pa pasur asnjë bazë të vlefshme juridike.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragraf 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi