Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për sulm dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë

Foto 06.12.2018 (1)
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Dhjetor 6, 2018

Malishevë – Mungesa e të akuzuarit për asgjësim apo dëmtim të pasurisë dhe sulm, Behar Statovci, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tij, e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, ka konstatuar se për të akuzuarin Statovci, shërbimi dorëzues i postës në fletëkthesë ka konstatuar se i njëjti është shpërngulur në Zvicër.

Gjykatësi Paçarizi, ka marrë vendim që për seancën e ardhshme i akuzuari Statovci, të ftohet me detyrim përmes stacionit policor në Malishevë.

Seanca është shtyrë më 8 janar 2019, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Behar Statovci, akuzohet se më 18 gusht 2017, në Malishevë, saktësisht në drejtimin Kijevë-Malishevë, dëmton apo e bënë të papërdorshme pasurinë e të dëmtuarit Arton Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se derisa i akuzuari po kalonte me makinë, i dëmtuari Krasniqi i kishte rënë burisë së makinës, me ç’rast i akuzuari del nga vetura i zemëruar dhe me grushte e thyen xhamin e përparmë të veturës së markës “Golf 4”, pronë e të dëmtuarit, Arton Krasniqi, duke i shkaktuar dëm material.

Tutje, i akuzuari po ashtu akuzohet se në ditën, orën, dhe vendin e lartcekur, i akuzuari duke përdorur forcën, derisa po grindeshin në mes vete, e godet me grushte të dëmtuarin Krasniqi, duke i shkaktuar frikë, dhembje, mundim, shqetësim dhe pasoja tjera.

Sipas aktakuzës, me veprimet e lartpërmendura i akuzuari e ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe veprën penale “sulmi” nga neni 187, paragraf 1, i KPRK-së.