Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për posedim të mbi 20 gramëve marihuanë

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Tetor 10, 2019

Mitrovicë – Ka dështuar të fillojë gjykimi për posedim të narkotikëve ndaj Mustafa Morava, të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Gjykatësi Sinisha Mandushiq, ka deklaruar se ndaj të akuzuarit do të urdhërojë policinë për sjelljen e tij me detyrim.

Për shkak të mungesës së të pandehurit, gjykimi është shtyrë për 30 tetor 2019, në ora 10:00.

Seancën e së enjtes prezent ishin prokurori Naim Beka dhe mbrojtësi i të pandehurit sipas detyrës zyrtare, Festim Shala.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 qershor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Mustafa Morina.

Sipas aktakuzës, Mustafa Morava akuzohet se më 26 mars 2019, në rrugën “Adem Voca”, në Mitrovicë, me rastin e kontrollimit të shtëpisë së tij, në xhepin e të pandehurit ishin gjendur një qese e madhe me substancë narkotike e llojit marihuanë, në peshë prej 15.20 gramë, një qese të vogël me marihuanë, me peshë prej 1.19 gram dhe tetë qese të vogla, po ashtu, me marihuanë me peshë rreth 4.44 gramë, me peshë të përgjithshme 20.83 gramë.

Me këtë, Morava akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, nga neni 273 par 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi