Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj inspektorit në Shtime

IMG_0569
Author

cRaporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 8, 2019

 

Ferizaj – Të premten, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare, po akuzohet inspektori i ndërtimit në Shtime, Taulant Salihaj.

Në fillim të seancës, mbrojtësja e të akuzuarit Salihaj, avokatja Teuta Çaushi, ka njoftuar gjykatën se klienti i saj është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe sipas saj, ai e ka të pamundur të paraqitet në seancë.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, mori aktvendim që seanca e së premtes të shtyhet për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës është caktuar më 19 nëntor 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Taulant Salihaj akuzohet se në shtator të vitit 2017 dhe në prill të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar, si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme, kishte shfrytëzuar detyrën e tij dhe kishte tejkaluar kompetencat zyrtare, në atë mënyrë që nga i dëmtuari, Haxhi Shabani, fillimisht kishte marrë shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë, si dhe 580 euro për përpilimin e shtëpisë së dytë, me qëllim që t’ia rregullonte dokumentet ndërtimore.

Siç thuhet në aktakuzë, edhe pse detyra e tij kishte qenë që t’i ndalonte ndërtimet pa leje, ai kishte lejuar të dëmtuarin Shabani që t’i ndërtojë dy shtëpitë pa e pajisur me leje.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi