Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për kanosje ndaj policëve

Podujevë
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Qershor 9, 2021

Podujevë – Mungesa e të akuzuarit për kanosje, Agim Haziri, ka bërë që të dështoj gjykimi ndaj tij, i paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë.

Gjykatësi Minir Hoti ka thënë se nuk kishin arritur të bënin verifikimin e adresës së të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty, kurse ajo e radhës do të caktohet pas verifikimit të adresës nga Policia.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 12 tetor 2020, Agim Haziri akuzohet se më 27 korrik 2020, në rrugën “Nuhi Gashi”, rreth orës 13:45 në Podujevë, derisa zyrtarët policor Edon Mexhuani, Arton Fazliu dhe Veton Haxhiu kanë qenë në detyrë për zbatimin e masave të Qeverisë kundër pandemisë Covid-19 dhe gjatë detyrës zyrtare kishin kërkuar nga tani i pandehuri që të vendos maskën, i njëjti jo vetëm që nuk e ka zbatuar urdhëresën e tyre, por edhe i ka kërcënuar me fjalët “unë e kam kryet e fortë… njëherë ka me vdekë… keni me ma pa sherrin”, me ç’rast te të njejtit kishte shkaktuar ankth si dhe ndjenjën e pasigurisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.