Mungon i akuzuari, dëshmitari dhe pala e dëmtuar, shtyhet gjykimi për vjedhjen e parave dhe bizhuterive mbi 1 mijë euro

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit F.Sh, dëshmitarit A.K dhe palës së dëmtuar B.M, është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Sh. po akuzohet për vjedhje të rëndë.

F.Sh po akuzohet se në vitin 2019 në një shtëpi në Prishtinë, ka vjedhur një portofol me para në vlerë prej 1 mijë e 100 euro dhe bizhuteri në vlerë prej 400 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesës e të akuzuarit, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj konstatoi se i njëjti përmes një shkrese ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme.

Në seancë mungoi edhe dëshmitari A.K dhe pala e dëmtuar B.M, ku për dëshmitarin gjykatësi konstatoi se nuk ka prova nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt. Ndërsa, pala e dëmtuar tha se ka qenë i ftuar përmes procesverbalit të seancës së kaluar, mirëpo i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën e tij sot.

Ndryshe, i pranishëm në seancë ishte prokurori Zef Prendrecaj.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2019, i pandehuri F.Sh gjatë intervalit kohor në mes orës 14:00-23:00 në Prishtinë me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme, fillimisht e ka hequr xhamin e dritares së anës së pasme lindore të shtëpisë së të dëmtuarit e pastaj ka hyrë brenda dhe nga aty ka vjedhur një portofol me para në vlerë prej 1 mijë e 100 euro dhe bizhuteri në vlerë prej 400 euro, ku të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.

Me këtë, F.Sh po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, par.1, nënpar.1.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë