Gjakovë- Mungesa e të akuzuarit Ukë Ahmeti dhe mbrojtësit të tij, avokatit Ndrec Doda, ka bërë që të martën, të mos plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor në këtë rast. Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, konstatoi se mbrojtësi i të akuzuarit, vetëm një orë para fillimit të seancës, kishte njoftuar me anë të një parashtrese se është i angazhuar në një seancë tjetër. Me këtë arsyetim i njëjti kishte kërkuar shtyerjen e këtij shqyrtimi gjyqësor për një datë tjetër.
Në këtë rast u mor vendim që seanca e rradhës të caktohet për datën 11 maj 2016.
Në fund të vitit 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka akuzuar Ukë Ahmetin se nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në cilësi të drejtorit në shkollën e mesme të ulët “Hazir Rama” në fshatin Kralan, nuk e ka nënshkruar kontratën e një mësuesi të matematikës, i cili ishte përzgjedhur si mësimdhënës sipas konkursit. Sipas disozitivit të aktakuzës, tani i pandehuri Ahmeti, nuk e kishte nënshkruar kontratën në fjalë ,pasi sipas tij atë mësimdhënës nuk e duan banorët e atij fshati. Me këtë rast, i njëjti i’a ka vazhduar kontratën mësuesit që kishte qenë deri në atë kohë, por që i cili nuk kishte konkurruar fare për të vazhduar punën e tij në atë pozitë. Në bazë të këtyre fakteve, Ukë Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “ keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.