Mungon gjykatësi dhe i akuzuari me mbrojtësit e tij, dështon të vazhdojë gjykimi për korrupsion në Prizren

Nexhmedin Musliu..
Author

Raporton: Avni Berisha

Prill 30, 2021

Prizren – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e anëtarit të trupit gjykues, Sami Gashi si dhe i akuzuari Musliu me mbrojtësit e tij, Gent dhe Blend Gjini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e gjykatësit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka thënë se i njëjti nuk mund të prezenti në seancë për arsye shëndetësore.

Ndërsa për mungesën e të akuzuarit Musliu dhe mbrojtësve të tij, gjykatësja Skenderi tha se të njëjtit kanë qenë të thirrur gojarisht nga seanca e kaluar por të njëjtit nuk janë prezent dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Po ashtu ajo tha se përkundër faktit se gjykata ka lëshuar urdhër arrest për sjellje me dhunë të dëshmitarit Tyrjan Alibajro, deri në këto momente urdhëresa e gjykatës nuk është ekzekutuar dhe se gjykata ende nuk është njoftuar nga stacioni Policor në Prizren për arsyet e mos zbatimit të urdhëresës.

Prezent në seancën e të premtes ishin prokurorja e rastit Ervehe Gashi dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komunës së Prizrenit, avokat Blerim Mazreku.

Në këto rrethana, seanca e së premtes u shty për 22 qershor 2021, në ora 10:00.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi