Mungon eksperti, shtyhet seanca në rastin ku paditësja po kërkon kthimin në vendin e punës në “ProCredit Bank”

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë – Në mungesë të ekspertit Shpend Haxhibeqiri, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes, në rastin ku paditësja Albana Morina-Xharra po kërkon kthimin në vend të punës te e paditura “ProCredit Bank”.

Gjykatësi Latif Xhemajli ka njoftuar palët në procedurë se nuk ka prova nëse eksperti Haxhibeqiri është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket ftesave për seancë, paditësja Morina-Xharra ka theksuar se ftesën e ka pranuar vetëm 22 orë para mbajtjes së seancës, e përkundrazi, përfaqësuesi i të paditurës “ProCredit Bank”, avokati Kujtim Kërveshi, këtë ftesë e ka pranuar më 8 tetor 2021.

Më tej, e njëjta ka njoftuar gjykatën se në ditën e pranimit të ftesës, njëherazi ka pranuar edhe një kërkesë për shtyrjen e seancës, gjë që ka shkaktuar paqartësi në atë se kjo seancë, a do të mbahej apo jo.

“Me datë 21 tetor 2021, në ora 13:05, erdha për të marrë konfirmimin se seanca mbahet sot në ora 9:00, pjesa e cila për mua lë shije të hidhur, por mbi të gjitha konsideroj se i nderuari gjykatës dhe e nderuara gjykatë nuk guxon të tentohet të vihet në lajthitje nga kërkesat e ngjashme si ajo e datës 13 tetor 2021, e cila i është drejtuar nga pala e kundërt, nga Kujtim Kërveshi”, ka thënë paditësja Morina-Xharra.

Për këtë kërkesë, u deklarua edhe përfaqësuesi i të paditurës, avokati Kërveshi, i cili ka thënë se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga gjykata rreth kësaj kërkese, qoftë aprovim apo refuzim.

Më tej, i njëjti ka shtuar se sot në të njëjtën kohë ka pasur edhe një seancë tjetër Departamentin për Krime të Rënda dhe iu është dashur të gjej zëvendësim. Ai tha se arsyeja e paraqitjes së tij në seancë ka qenë sepse ai nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga gjykata nëse kjo kërkesë për shtyrje është aprovuar apo jo, e duke qenë se është kontest i marrëdhënies së punës, përfaqësuesi Kërveshi ka theksuar se ka bërë të gjitha përpjekjet për të qenë këtu në kohë, duke besuar që ka kushte për ta dëgjuar ekspertin.

Sa i përket këtyre shqetësimeve, gjykatësi Latif Xhemajli ka thënë se ftesat i janë dorëzuar palëve në ditën e njëjtë, ndërsa data e pranimit të ftesave nuk varet nga ai por nga posta.

Sa i përket thirrjes në seancë, paditësja Morina-Xharra ka kërkuar të di se përse palët gjyqësore, dëshmitarët dhe ekspertët janë duke pasur probleme me pranimin e ftesave përderisa gjykata është duke i dorëzuar.

“Nëse më lejoni të pranoj fletëkthesën e nënshkruar nga dëshmitari që kom propozuar unë, Valon Halilaj. Valon Halilaj nuk ka marrë ftesë, nëse keni mundësi, për shkak të transparencës të më jepni fletëkthesën time dhe fletëkthesen e Valon Halilaj”, ka thënë ajo.

E për këtë, gjykatësi Xhemajli ka thënë se dëshmitari Halilaj e ka pranuar ftesën por nuk është paraqitur në seancë në ditën e duhur.

Pas kësaj, paditësja Morina-Xharra ka propozuar nxjerrjen e provës përmes ekspertizës financiare, propozim ky për të cilin ka thënë se e ka bërë edhe në seancën përgatitore por që është refuzuar.

Arsyeja se pse këtë propozim e ka bërë përsëri, ka qenë për shkak se sipas saj, ekspertiza e kaluar financiare është e vitit 2016 dhe për zbardhjen e këtij rasti duhet të bëhet ekspertizë e re e vitit 2021, meqë paditësja vazhdon të mos jetë e punësuar tek e paditura “ProCredit Bank”.

Sa i përket kësaj, gjykatësi Xhemajli e ka njoftuar paditësen Morina-Xharra se meqë ky propozim është refuzuar njëherë, nuk mund të merret vendim prapë për të, duke e udhëzuar paditësen Morina-Xharra për të ushtruar ankesë.

Gjatë kësaj seance, paditësja Morina-Xharra gjithashtu ka kërkuar të di nëse në gjykatë ndodhet procesverbali i datës 2 mars 2021, meqë ajo nuk e kishte atë.

Procesverbalin e kësaj date, nuk e kishte as përfaqësuesi i “ProCredit Bank”, avokati Kërveshi.

Ndërkaq, gjykata njoftoj se do e kërkojë këtë procesverbal dhe do t’i njoftojë palët për të.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 18 nëntor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 prill 2016, kishte vendosur për këtë duke e aprovuar pjesërisht padinë e paditëses.

Gjykata me këtë vendim ia kishte aprovuar kërkesën paditëses dhe atë duke e detyruar të paditurën që të anulojë vendimin mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, që paditësen ta kthejë në punë dhe që në emër të pagave të papaguara t’ia kompensojë shumën prej 26,775.00euro.

Po ashtu, në këtë aktgjykim thuhet se gjykata ka vlerësuar se pohimet e parashtruara nga paditësja për diskriminim në punë janë të qëndrueshme dhe të bazuara në fakte, përderisa e paditura nuk ka arritur të vërtetojë të kundërtën e pohimeve dhe të paraqes prova për të vërtetuar se ndaj tani paditëses Morina Xharra nuk ka pasur trajtim diskriminues.

Ndërsa, me këtë vendim gjykata ia kishte refuzuar kërkesën e paditëses që e paditura t’ia paguajë dyfishin e pagave për shkak të diskriminimit në punë.

Kurse, Gjykata e Apelit, sipas ankesës së palës së paditur, me aktvendim këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës si dhe për shkak se arsyetimi i vendimit i shkallës së parë nuk është i mbështetur në prova.

Sipas padisë së ushtruar më 28 mars 2013, paditësja Albana Morina-Xharra po kërkon nga banka “ProCredit” kthimin e saj në punë dhe kompensimin e dyfishitë të pagave të papaguara, si pasojë e diskriminimit.

Siç thuhet në padi, paditësja kishte themeluar marrëdhënie pune me të paditurën më 19 korrik 2010, për kohë ta pacaktuar, në pozitën e menaxheres për marrëdhënie me klientë.

Por siç thuhet në padi, gjatë kohës sa ka qenë e punësuar, të paditurës i ishte krijuar një atmosferë armiqësore në vendin e saj të punës, duke u kërcënuar, shantazhuar, ngacmuar psiqikisht.

Sipas padisë, në kundërshtim me Ligjin e Punës, e paditura ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës paditëses, ku në vendim kishte dhënë sqarime, shpjegime të qarta se pse kishte vepruar në atë mënyrë.

Prandaj, mbi këto pretendime, paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që të njëjtën ta kthejë në vendin e punës dhe t’ia kompensojë dyfishin e pagave të papaguara. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë