Mungon eksperti, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe të tjerëve

89853126_738313510032656_3373775791161606144_n (1)
Author

Raporton: Teuta GASHI

Mars 13, 2020

Gjilan – Përsëri ka dështuar të vazhdojë rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, tashmë nënkryetar i kësaj komune, Sasha Mirkoviq dhe zyrtarëve të kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë rast, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe pronari i kompanisë N. T. P “Metali”, Elbasan Alidema.

Si arsye e mos mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor të paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ishte mungesa e ekspertit financiar Ibrahim Tahiri.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi bëri të ditur se eksperti Tahiri i ka dorëzuar parashtresë gjykatës, me të cilën ka theksuar se është kryesues i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe se sot para saj duhet të raportojë për statistikat.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sasha Mikoviq, avokati Milot Spahiu i propozoi trupit gjykues që në mungesë të ekspertit financiar seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 22 prill 2020, në ora 9:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 prill 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tre zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, si dhe pronarin e kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën në fjalë e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë në bazë të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse dispozitivi është në kundërthënie me argumentet e nxjerra në seancën gjyqësore dhe shkresat e lëndës, derisa në aktgjykim nuk ka arsye për faktet të cilat janë treguar në lëndë, ndërsa arsyet janë dhënë në mënyrë të paqartë dhe në masën e njohur kundërthënëse, për çfarë edhe gjetja faktike ka mbetur e vërtetuar në mënyrë të gabuar, ashtu siç tregohet me bazë në ankesën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.

Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qëllim përfitimi, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e  5 dhjetorit 2012, në tenderin sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro. /BetimipërDrejtësi