Mungon eksperti, shtyhet gjykimi për aksidentin ku mbetën të lënduar tre persona

Raorton: Blerim JAKUPI

Gjilan – Per shkak të mungesës së ekspertit të komunikacionit, Liridon Sejdiu, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës ndaj A.M., i cili nga prokuroria po akuzohet se në gusht të 2019-ës, në rrugën Përlepnicë – Ropotovë e Madhe, ka shkaktuar aksident trafiku ku mbetën të lënduar tre persona.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, ka deklaruar se eksperti Sejdiu ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo ai përmes telefonit zyrtar e ka njoftuar gjykatën se është i nxënë në Universitet në përfundim të semestrit dhe se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 14 korrik 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, edhe seanca e 15 marsit 2022, kishte dështuar të mbahet pasi administrata e gjykatës kishte qenë në grevë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 maj 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj A.M., me arsyetimin se në gusht të 2019-ës, në rrugën Përlepnicë – Ropotovë e Madhe, ka vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre.

Sipas prokurorisë, i akuzuari duke drejtuar automjetin “Peugeot Court”, me të arritur në mes dy fshatrave të lartcekura, duke bërë tejkalim të pasigurtë në vijë të plotë, në rrugë me kthesa, ndeshet me pjesën e parë të anës së majtë me pjesën e parë të anës së majtë me automjetin “VW Golf”, të cilin e drejtonte i dëmtuari A.L., i cili me të vërejtur veprimet e të akuzuarit frenon vrullshëm dhe kalon në shiritin e kundërt, me ç’rast shkakton aksident trafiku me dëme materiale dhe lëndime trupore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari A.Sh., ndërsa lëndime të lehta pësojnë të dëmtuarit A.L. dhe A.Sh.

Me këtë, A.M. akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë