Mungon eksperti nga ATK-ja, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të tregut në Prizren

Foto, Gjykata Themelore Prizren
Author

Raporton: Avni BERISHA

Dhjetor 6, 2019

Prizren – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të tregut në Prizren, Fatmir Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa ekspertit nga ATK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën ekspertit nga ATK-ja, gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se ajo të enjten ka biseduar në telefon me një zyrtare nga ky institucion, nga e cila ka kërkuar që në seancën e së premtes të prezantojë një ekspert nga ATK-ja, por sipas saj, i njëjti nuk ka prezantuar.

Gjykatësja Elezi, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e  ka caktuar më 21 janar 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, Fatmir Gashi akuzohet se më 29 gusht 2014, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi