Mungon e paditura BKS, shtyhet gjykimi për kompensim dëmi material

Gjykata Themelore në Pejë . (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 23, 2021

Pejë- Për shkak të mungesës së të paditurës Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), është shtyrë gjykimi civil, ku paditësi Shaban Malushaj po kërkon kompensimin e dëmit të pësuar në makinë, nga aksidenti i trafikut i shkaktuar me 8 gusht 2019, në Pejë.

Seanca e së martës është shtyrë me propozimin e përfaqësueses së paditësit, avokates Filloreta Hoxha- Zymberaj, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Në fillim të këtij gjykimi, gjyqtari i çështjes Besnik Shala, konstatoi se e paditura është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, duke shtuar se kjo seancë ka kushte ligjore të mbahet.

I njëjti po ashtu deklaroi se e paditura BKS,  me parashtresë ka propozuar që të ftohet në sqarim eksperti i makinerisë Avdullah Hoxha, mirëpo gjykata ende nuk e ka ftuar.

Në këto rrethana përfaqësuesja e paditësit Shaban Malushaj, avokatja Filloreta Hoxha- Zymberaj i propozoi gjykatës që ky gjykim të shtyhet për një datë tjetër.

Më pas gjyqtari Shala me aktvendim seancën e shtyri për 24 mars 2021, në ora 13:15, për kur e paditura BKS dhe eksperti i makinerisë Avdullah Hoxha do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar me 27 dhjetor 2019, paditësi Shaban Malushaj, po kërkon nga e paditura Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), kompensim dëmi material, në vlerë prej një mijë euro, për shkak të dëmit të pësuar në makinë, me rasti e aksidentit në komunikacion.

Në bazë të padisë, me 8 gusht 2019, në Pejë, paditësi kishte pësuar një aksident në trafik, në të cilën kishte pësuar dëme materiale në makinë, dhe përmes kësaj padie po e kërkon kompensimin e dëmit nga BKS, dhe atë me kamatë ligjore prej 12%. /BetimipërDrejtësi