Mungon e dëmtuara, dështon gjykimi ndaj policit që akuzohet për marrje ryshfeti

20190709_111554
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 9, 2019

Prishtinë – Mungesa e të dëmtuarës Laura Idrizi, ka bërë që të dështojë shqyrtimi gjyqësor i së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj policit Isa Jashari, i cili akuzohet për marrje ryshfeti.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, deklaroi se e dëmtuara është kontaktuar nga gjykata dhe se është njoftuar për seancën e së martës.

“Edhe pse është thirr në telefon dhe është kontaktuar mes numrit kontaktues të saj dhe është informuar për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm. Në mungesë të saj nuk mund të vazhdohet më tutje meqë jemi në procedurë të provave dhe duhet të merret dëshmia e saj”, deklaroi gjykatësja.

Seanca e ardhshme është caktuar më 3 shtator 2019, nga ora 11:00, ku ka thënë se e dëmtuara do të sillet me urdhëresë për shoqërim me detyrim.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë të mbahej më 31 maj në këtë rast nuk ishte arritur të mbahet.

Kjo për shkakun se anëtarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, kishte pasur të caktuar intervistën për gjykatëse në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili departament është themeluar me Ligjin e ri për Gjykatat, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në fund të vitit të kaluar.

Në këtë rast, seanca kishin dështuar të mbaheshin edhe më 26 prill dhe më 29 mars 2019.

Përderisa, në seancën e 29 marsit, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, kishte thënë se gjykatësja Musliu-Selimaj, ka munguar për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, në seancën e 26 prillit, ajo nuk kishte dhënë ndonjë arsye të mungesës së Musliu-Selimajt.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Jasharit, me pretendimet se i njëjti, më 10 maj 2017, rreth orës 14:30 në lokalin “Eni” në Fushë Kosovë, ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara Laura Idrizi, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas aktakuzës, këto para të pranuara nga e dëmtuara, i akuzuari i ka marr me qëllim që personi zyrtar në gjykatën në fjalë, të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në një rast ku e dëmtuara ishte e përfshirë si palë në një procedurë, e ku sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte premtuar asaj këtë rast do t’ia kryente brenda tre ditësh.

Mirëpo, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte shkëputur pastaj të gjitha kontaktet me të dëmtuarën, derisa e njëjta kishte paraqitur rastin në polici.

Krejt këto veprime, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Jashari i kishte ndërmarrë nga pozita e zyrtarit policor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër. /BetimipërDrejtësi