MUNGON E AKUZUARA , SHTYHET SEANCA PËR SHPËRDORIM TË PASURISË SË HUAJ
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Mimoza Fazliu e akuzuar për veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj” , të mërkurën më 6 prill 2016 nuk u paraqit para Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe shqyrtimi gjyqësor nuk u mbajt ndaj saj. Gjykatësja Hysnije Gashi konstatoi se e pandehura nuk e ka pranuar ftesën e rregullt të dërguar nga gjykata, duke thënë se njëjta ftesë ishte kthyer nga Posta e Kosovës pa ndonjë arsyetim të mospranimit. Ndërsa seanca e rradhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete deri sa të konfirmohet adresa e saktë e të pandehurës Fazliu.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 8 gusht 2014 e ngarkon të akuzuarën Mimoza Fazliu me veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj” nga neni 330 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse që nga viti 2012 deri më 13 janar 2014 në Ferizaj, në rrugën “Driton Islami” pikërisht në banesën e të dëmtuarës Fatmire Rysha, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së huaj për vete, në vazhdimësi ka marrë stoli ari si : qystek, rrathë dore, komplet ari të bardhë , katër (4) unaza, një zingjir të qafës, një dy lirësh, një komplet ari e stoli të tjera të çmueshme ku vlera e tyre sipas të dëmtuarës arrin shumën rreth 12.000 euro . Të njëjtat stoli e pandehura i kishte marrë gjer sa kishte punuar si pastruese në banesën e të dëmtuares.